Për miratimin e masave mbështetëse për nxitjen e përdorimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të diellit dhe erës, si dhe të procedurave për përzgjedhjen e projekteve për përfitimin e tyre
Fletorja Zyrtare nr. 89, datë 19 qershor 2018
Më datë 12.6.2018, me vendimin nr. 349, Këshilli i Ministrave vendosi se shoqëritë tregtare ose bashkimi i shoqërive tregtare që ofrojnë kushtet më të mira përsa i përket çmimit të energjisë që vjen nga burimet e rinovueshme të diellit dhe të erës, teknologjisë së përdorur dhe mënyrës së ndërtimit të impiantit, mund të përfitojnë nga disa masa që nxisin përdorimin e energjisë që vjen nga burimet e lartpërmendura. Ndër masat e sapo përmendura parashikohen garantimi i blerjes së energjisë elektrike me një tarifë të pandryshuar prej operatorit të energjive të rinovueshme për një periudhë maksimale prej 15 vitesh, garantimi i lidhjes dhe aksesit për të përdorur rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë së prodhuar, garantimi nga ana e ministrisë përgjegjëse për energjinë i ndjekjes së të gjitha procedurave për marrjen e lejeve dhe autorizimeve për zbatimin e projektit për prodhimin e energjisë elektrike prej burimeve të rinovueshme të erës dhe/ose diellit etj.
Për të përfituar nga këto masa, shoqëritë tregtare duhet të paraqesin ofertat e tyre, si dhe duhet të provojnë nëpërmjet dokumenteve kapacitetin e tyre teknik, financiar dhe të besueshmërisë për të zhvilluar projektin për prodhimin e energjisë elektrike prej burimeve të rinovueshme të erës dhe/ose diellit.
Pas aplikimit, komisioni i posaçëm i ofertave që ngrihet me urdhër të ministrit përgjegjës për energjinë vlerëson ofertat dhe shpall ofertuesin më të mirë, i cili përzgjidhet me anë të një procesi konkurrues, të hapur, transparent dhe jodiskriminues që siguron besueshmëri te pjesëmarrësit.