Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën 2018-2024 dhe të Planit të Veprimit

Fletorja Zyrtare nr. 73, datë 22 maj 2018

Më datë 9.5.2018, me vendimin nr. 259, Këshilli i Ministrave vendosi të miratojë Strategjinë Kombëtare për Diasporën për vitet 2018-2024. Duke konsideruar faktin se migrimi mbetet një sfidë e vështirë për institucionet shtetërore dhe shoqërinë shqiptare, Strategjia e lartpërmendur synon të garantojë një politikë  gjithëpërfshirëse për diasporën, si dhe ta trajtojë atë me standardet më të mira ndërkombëtare.

Strategjia Kombëtare e Diasporës 2018–2024 trajton gjendjen e fenomenit migrator  dhe të diasporës së Shqipërisë, si dhe faktorët që kanë detyruar shqiptarët të largohen nga vendi. Por ajo, gjithashtu, përmban edhe një sërë rekomandimesh për punën që duhet të kryejnë institucionet për të krijuar një politikë të re shtetërore për diasporën, në mënyrë që në zhvillimin socioekonomik dhe politik të vendit të përfshihet edhe kontributi i komuniteteve shqiptare jashtë vendit.

Së fundmi, dokumenti përfshin krahas Strategjisë Kombëtare edhe Planin e Veprimit, i cili përmban objektivat dhe aktivitetet që planifikohen të përmbushen në periudhën 2018–2024.