Për nxitjen e punësimit

Fletorja Zyrtare nr. 45, datë 3 prill 2019

Më datë 13.03.2019, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi të miratojë ligjin nr. 15/2019 “Për nxitjen e punësimit”, i cili synon rritjen e punësueshmërisë së forcave të punës nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe programeve publike të punësimit, të vetëpunësimit dhe të kualifikimit profesional.

Ligji në fjalë parashikon krijimin e një organi të ri që është institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, i cili do të mbledhë, përpunojë dhe analizojë informacionet e tregut të punës nëpërmjet sistemit të informacionit të institucioneve të varësisë ose nëpërmjet studimeve specifike apo anketimeve. Krahas krijimit të këtij institucioni të ri, ligji parashikon gjithashtu edhe krijimin e Këshillit Konsultativ për Punësimin si organ këshillimor që ngrihet pranë institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

Dhe së fundmi, nëpërmjet këtij ligji i jepet përparësi grupeve të veçanta, të cilat kanë pengesa për t’u përfshirë në punësim, ku bëjnë pjesë jetimët, kryefamiljarët e vetëm me fëmijë në ngarkim, personat me aftësi të kufizuara dhe prindërit e tyre, personat nga komuniteti rom dhe egjiptian, të rinjtë me moshë nën 29 vjeç, të mitur dhe të rinj në konflikt me ligjin,  nënat nën moshën 18 vjeç, punëkërkues të papunë afatgjatë, të papunët që janë kthyer prej jo më shumë se dy vjetësh nga emigracioni etj. Përsa i përket personave me aftësi të kufizuara, ligji parashikon krijimin e Fondit Social të Punësimit,  në formën e një fondi financiar publik, i cili do të përdoret për programe që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitimin për punë, aftësimin dhe riaftësimin profesional, orientimin dhe këshillimin për punësim, shërbime mbështetëse, si dhe përshtatjen në vendit e punës të këtyre personave, por edhe për programe që mbështesin nxitjen e punësimit të familjarëve të personave me aftësi të kufizuara.