Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile

Fletorja Zyrtare nr. 159, datë 27 nëntor 2019

Më datë 20.11.2019, me vendimin nr. 747, Këshilli i Ministrave vendosi mbi organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Kjo Agjenci, e cila ka si mision zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe sigurimin e mbrojtjes civile në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, do të zëvendësojë Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile. Vendimi parashikon se Agjencia e lartpërmendur do të organizojë punën si për vlerësimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore, ashtu edhe për ngritjen e strukturave të mbrojtjes civile në nivel qendror dhe vendor. Gjithashtu, kjo Agjenci do të zhvillojë programe të posaçme trajnimi dhe do të garantojë nëpërmjet inspektimit zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen civile.