Për organizimin dhe funksionimin e Sekretariatit teknik të Këshillit Ekonomik Kombëtar dhe përcaktimin e ministrisë përgjegjëse për zbatimin e dispozitave të Ligjit nr. 57/2014, “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar”, të ndryshuar
Fletorja Zyrtare nr. 74, datë 23 maj 2018
Më datë 16.5.2018, me vendimin nr. 281, Këshilli i Ministrave vendosi të përcaktojë se Ministri përgjegjës për zbatimin e dispozitave të ligjit nr. 57/2014, “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar”, të ndryshuar, është ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Ndërsa Sekretariati teknik është ai institucion publik, në varësi të ministrit të lartpërmendur, ku bizneset do të adresojnë të gjitha shqetësimet dhe problematikat që ndeshin në ushtrimin e veprimtarisë së përditshme. Në vijim, këto shqetësime dhe problematika i përcillen institucioneve politikëbërëse dhe vendimmarrëse, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e shërbimeve publike ndaj sipërmarrjes dhe klima e biznesit në Shqipëri.