Për pagesën e pjesëmarrjes në kurset e formimit profesional

Fletorja Zyrtare nr. 41, datë 27 mars 2018

 

Më datë 21.3.2018, me vendimin nr. 162, Këshilli i Ministrave vendosi lidhur me pagesën e pjesëmarrjes në kurset e formimit profesional.

Konkretisht, punëkërkuesit e papunë, të cilëve u është ofruar dhe kanë pranuar të marrin pjesë në një kurs të formimit profesional mund të përfitojnë një pagesë pjesëmarrjeje në kurs, në masën 50% të së ardhurës nga papunësia, me kusht që ata të mos përfitojnë gjatë kësaj periudhe ndihmën ekonomike ose pagesën e papunësisë. Gjithashtu, vendimi parashikon se pagesa jepet për ndjekjen vetëm të një kursi, gjatë gjithë kohëzgjatjes së tij, si dhe personat në fjalë përfitojnë një herë të vetme nga ky program. Në zyrën e punësimit ngrihet komisioni i vlerësimit, i përbërë nga, të paktën, tre persona, i cili vlerëson rast pas rasti punëkërkuesit të cilët do të marrin këtë pagesë, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren përkatëse, të përcaktuar në pikën 11, të këtij vendimi.

Pagesa kryhet nga zyra përkatëse e punësimit, pas dërgimit të një konfirmimi nga institucioni ofrues i kursit që pjesëmarrja në programin e formimit profesional është e rregullt. Në rastet kur vendbanimi i punëkërkuesit të papunë është mbi 2 km larg institucionit ofrues të kursit të formimit profesional, zyra e punësimit paguan një kosto mujore transporti, në masën e përcaktuar në kuadrin ligjor për tarifat e transportit të udhëtarëve.

Në vendim parashikohet se Shërbimi Kombëtar i Punësimit monitoron ecurinë e programit dhe përgatit raporte vjetore, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, të cilat ia paraqet strukturës së ndihmës shtetërore në ministrinë përgjegjëse dhe se program në fjalë do të fillojë të zbatohet gjatë vitit 2018 dhe kohëzgjatja e tij të jetë 5 (pesë) vjet.

Së fundi, vendimi ngarkon ministrinë përgjegjëse për çështjet e punësimit për mbikëqyrjen e zbatimit të programit dhe Shërbimin Kombëtar të Punësimit për nxjerrjen e rregullores së komisionit të vlerësimit dhe të kritereve të miratimit të pagesës në zbatim të programit, nëpërmjet strukturave në varësi të tij.