Për pagesën e së ardhurës nga papunësia

Fletorja Zyrtare nr. 41, datë 27 mars 2018

 

Më datë 21.3.2018, me vendimin nr. 161, Këshilli i Ministrave vendosi të miratojë programin e pagesës të së ardhurës nga papunësia, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

Sipas vendimit në fjalë, të gjithë personat e siguruar, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara në nenin 53, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfitojnë të ardhura nga papunësia. Ndërsa, personat, të cilët: a) ndërpresin aktivitetin si punëdhënës dhe të vetëpunësuar; b) largohen nga puna me dëshirën e tyre; c) plotësojnë kriteret për pension pleqërie, invaliditeti apo familjar, paaftësi të përkohshme në punë apo sëmundje profesionale, nuk përfitojnë të ardhura nga papunësia.

Personave që përfitojnë të ardhura nga papunësia, u paguhet e ardhura e pagesës së papunësisë në varësi të periudhës së kontributit në sigurimet shoqërore, derdhur nga punëdhënësi, si në vijim: a) 3 (tre) muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, 1 (një) vit; b) 6 (gjashtë) muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, 3 (tre) vjet; c) 9 (nëntë) muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, 5 (pesë) vjet; ç) 12 (dymbëdhjetë) muaj, për personat me një periudhë kontributi mbi 10 (dhjetë) vjet; d) Personat gra mbi 55 (pesëdhjetë e pesë) vjeç dhe burra mbi 60 (gjashtëdhjetë) vjeç përfitojnë pagesë papunësie 12 (dymbëdhjetë) muaj, me kusht që të kenë kontribuar 1 (një) vit në sigurimet shoqërore, për çdo rast përfitimi. Ndërsa për rastet e paraqitjes së kërkesave të përsëritura për përfitim, llogaritja e periudhës së kontributeve fillon me përfitimin e fundit të pagesës të të ardhurave nga papunësia.

Gjithashtu, vendimi parashikon edhe dokumentacionin që duhet të paraqesin personat të cilët aplikojnë për të përfituar të ardhura nga papunësia, si dhe dokumentacionin që duhet të sigurohet nga zyrat e punësimit, rastet kur personave përfitues të pagesës të së ardhurës nga papunësia u ndërpritet përfitimi, rastet për të cilat duhet të njoftojnë zyrën përkatëse të punësimit për të evituar që të kthejnë shumën e të ardhurave që kanë përfituar, të drejtat për të marrë të ardhura shtesë familjare mbi masën e nivelit bazë (ky I fundit është 50% e pagës minimale në shkallë vendi), detyrimin për tu paraqitur në zyrën e punësimit një herë në muaj për të konfirmuar prezencën ose sa herë thirret nga kjo zyrë, me qëllim punësimin e tij, si dhe rastet e përligjura kur përfituesi është i justifikuar për mosparaqitje.

Pagesa e së ardhurës nga papunësia është mujore dhe paguhet përpjesëtimisht me numrin e ditëve kalendarike, për kohën që përfituesi ka të drejtë ta marrë këtë të ardhur. Pagesa merret një herë në muaj, pranë bankës përkatëse. Periudha, gjatë së cilës përfituesi merr pagesën e së ardhurës nga papunësia, njihet si vjetërsi pune, e siguruar për efekt pensioni pleqërie, familjar dhe invaliditeti.