Për përcaktimin e aktiviteteve që përfshihen në fushën e prodhimit/zhvillimit të software-ve, si dhe procedurat për aplikimin e tatimfitimit nga personat juridikë që ushtrojnë këto aktivitete  

Fletorja Zyrtare nr. 176, datë 13 dhjetor 2018

Pas ndryshimeve që u kryen në vitin 2017 në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, të cilat parashikuan se kompanitë që veprojnë në fushën e prodhimit dhe zhvillimit të software-ve do të përfitojnë nga tatimi mbi fitimin prej 5%, më datë 12.12.2018, me vendimin nr. 730, Këshilli i Ministrave vendosi të përcaktojë aktivitetet që përfshihen në fushën e prodhimit dhe zhvillimit të software-ve. Konkretisht, kompanitë mund të përfitojnë nga tatimi mbi fitimin prej 5% vetëm nëse ato ushtrojnë aktivitete ekonomike të tilla si disenjim software-i, zhvillim dhe mirëmbajtje sistemesh software, testim software, disenjim dhe zhvillim sistemesh të komunikimit dhe të sigurisë, zhvillim sistemesh migrimi, përmirësim/upgrade sistemesh informatike, si dhe operimi, menaxhimi, suporti i përdorimit, trajnimi dhe auditimi teknik/informatik për sistemet software. Vendimi përcakton gjithashtu se për të përfituar nga shkalla tatimore prej 5%, kompanitë duhet të plotësojnë disa kushte si për shembull të zhvillojnë vetëm veprimtari në fushën e teknologjisë së informacionit, të pasqyrojnë qartë tek pasqyrat financiare të ardhurat dhe shpenzimet lidhur me aktivitetet e lartpërmendura për të cilat aplikohet shkalla tatimore prej 5%, të deklarojnë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore aktivitetin ose aktivitetet për të cilat aplikohet shkalla tatimore prej 5% së bashku me listën e punonjësve që punojnë në këto aktivitete etj.