Për përcaktimin e aktiviteteve, të kritereve dhe të procedurave për personat juridikë që ushtrojnë veprimtari ekonomike në industrinë automotive

Fletorja Zyrtare nr. 22, datë 24 shkurt 2020

Më datë 13.02.2020, me vendimin nr. 141, në vijim të ndryshimeve në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” ku u parashikua se norma e tatimfitimit për bizneset që veprojnë në sektorinë e industrisë automotive do të jetë 5%, Këshilli i Ministrave vendosi se në industrinë automotive përfshihen vetëm tatimpaguesit që janë të regjistruar si të tillë dhe që kryejnë aktivitetet e prodhimit të mjeteve motorike ose të pjesëve përbërëse të tyre. Pra, përjashtohen ata tatimpagues të cilët kryejnë aktivitete për mirëmbajtjen e mjeteve motorike apo shërbime të tilla si riparimet. Në mënyrë që subjektet të përfitojnë nga shkalla tatimore prej 5%, vendimi parashikon se aktivitetet që përfshihen në industrinë automotive duhet të jenë të përcaktuara në objektin e veprimtarisë, subjekti duhet të realizojë jo më pak se 100% të qarkullimit vjetor në aktivitetet ekonomike që përfshihen në industrinë automotive, si dhe duhet të ketë të punësuar mesatarisht gjatë vitit financiar jo më pak se 250 punonjës. Subjekti duhet të zhvillojë vetëm veprimtari të fushës së industrisë automotive dhe në rast se subjekti zhvillon edhe veprimtari të tjera ekonomike, ai duhet të regjistrohet si subjekt tatimor më vete.