Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe të dokumentacionit për subjektet që aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”
Fletorja Zyrtare nr. 70, datë 16 maj 2018
Më datë 9.5.2018, me vendimin nr. 257, Këshilli i Ministrave vendosi të përcaktojë kriteret, procedurat dhe dokumentacionin që duhet të plotësojnë investitorët për të marrë statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”.
Për marrjen e statusit në fjalë, investitori krahas kritereve të përgjithshme (si psh: të investojë në ndërtimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, në zonat me përparësi për zhvillimin e turizmit, të ketë përmbushur detyrimet lidhur me taksat dhe tatimet, të mos ketë qenë i dënuar për vepra penale të kryera me dashje, veprimtaria që ushtron investitori nuk duhet të jetë objekt i procedurave të falimentimit ose likuidimit apo i ndonjë procedure tjetër të ngjashme etj.) duhet të plotësojë edhe disa kritere të veçanta ekonomike dhe financiare që dëshmojnë mundësitë efektive të investitorit për të investuar në ndërtimin e këtyre strukturave akomoduese.
Çdo investitor shqiptar apo i huaj që kërkon të aplikojë për marrjen e statusit duhet të depozitojë të gjitha dokumentet e përcaktuara në këtë vendim pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin ose të aplikojë nëpërmjet shërbimit postar. Më pas, aplikimi shqyrtohet nga Komisioni i përhershëm i vlerësimit të aplikimeve, i cili bën edhe një raport përmbledhës lidhur me aplikimin. Në vijim, Ministri përgjegjës për turizmin shqyrton raportin e komisionit dhe nëse është dakord me vendimmarrjen e komisionit, brenda 15 ditëve, i propozon Këshillit të Ministrave dhënien e statusit në fjalë. Kur Këshilli i Ministrave vendos për dhënien e statusit, investitori duhet të nënshkruajë marrëveshjen e zhvillimit me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.