Për përcaktimin e procedurave të zhvillimit të garës, kriteret shtesë për aplikantët që konkurrojnë për t’u pajisur me licencë për kategorinë “Kazino”, procedura e shpalljes së fituesit, si dhe rastet e revokimit apo të pezullimit të kësaj licence
Fletorja Zyrtare nr. 161, datë 9 shtator 2020
Më datë 2.9.2020, me vendimin nr. 690, Këshilli i Ministrave vendosi të përcaktojë procedurat e zhvillimit të garës, kriteret shtesë për aplikantët që konkurrojnë për t’u pajisur me licencë për kategorinë “Kazino” dhe procedurën e shpalljes së fituesit, si dhe rastet e revokimit apo pezullimit të kësaj licence. Ky vendim parashikon se autoriteti i autorizuar për pajisjen e subjekteve me licencë për kategorinë “Kazino” është Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Vendimi parashikon se subjekti juridik, vendas ose i huaj, për t’u pajisur me këtë lloj licence duhet të përmbushë disa kritere minimale, të cilat janë si në vijim: të jetë shoqëri aksionare me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe të ketë si objekt veprimtarie lojërat e fatit, sipas llojit të lojës që kërkohet; të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit; shuma e kapitalit duhet të jetë jo më pak se 1 200 000 000 (një miliard e dyqind milionë) lekë; të deklarojë burimin e kapitalit që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë në fushën e “Kazinosë; të ketë kapacitetet e duhura financiare, administruese, organizative dhe besueshmërinë për t’u angazhuar me sukses në projekte të tilla; të paraqesë kufizimet për ndryshimet e pronësisë së aksioneve për të licencuarit; si dhe të ngrejë serverin, në të cilin do të japë informacion të plotë mbi çdo transaksion që do të kryhet midis subjektit dhe lojtarëve, xhiron dhe fitimin, si dhe çdo të dhënë që do të kërkohet nga Autoriteti në lidhje me zhvillimin e këtij aktiviteti. Gjithashtu, në vendim parashikohet se subjektet e interesuara duhet të paraqesin pranë Autoritetit kërkesë me shkrim për pajisjen me këtë lloj licence, të shoqëruar me të gjithë dokumentacionin e përcaktuar në këtë vendim. Në rast se e pranon aplikimin, Autoriteti fton subjektin që ka aplikuar për licencë të paguajë tarifën përkatëse, si dhe të bëjë ngurtësimin e fondeve të garancisë për fituesin e lojërave të fatit dhe për shlyerjen e detyrimeve periodike ndaj institucioneve shtetërore. Mospagimi i tarifës apo mosngurtësimi i fondeve të garancisë shkakton pezullimin dhe/ose heqjen e licencës.