Për përcaktimin e rregullave për njoftimin e detyrimit për vetëdeklarim të adresës nga shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të procedurës së plotësimit e të dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit dhe të dokumenteve shoqëruese të tij, administrimin e tyre nga autoritetet përgjegjëse, si dhe të shërbimeve të tjera që ofrojnë këto autoritete ndaj shtetasve

Fletorja Zyrtare nr. 208, datë 27 nëntor 2020

Më datë 4.11.2020, me vendimin nr. 915, Këshilli i Ministrave vendosi të përcaktojë rregullat për përmbushjen e detyrimit ligjor të vetëdeklarimit të adresës nga ana e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Sipas vendimit në fjalë, për përmbushjen e këtij detyrimi ligjor, këta shtetas duhet të plotësojnë formularin tip të vetëdeklarimit të adresës, në portalin e-Albania, me të dhënat e adresës së saktë në shtetin ku kanë vendbanimin e përhershëm, për veten e tyre dhe/ose edhe për anëtarët e së njëjtës certifikatë familjare, në rastin kur këta të fundit jetojnë me deklaruesin. Në rast konstatimi të mospërmbushjes së këtij detyrimi, autoritetet përgjegjëse kanë të drejtë të pezullojnë kryerjen e shërbimit të kërkuar, derisa shtetasi të përmbushë detyrimin ligjor të vetëdeklarimit të adresës. Gjithashtu, vendimi parashikon se këto autoritete i ofrojnë shtetasit shqiptar, në adresën e vetëdeklaruar shërbime të gjendjes civile dhe ushtrim të së drejtës së votës. Dhe së fundmi, në rast ndryshimi të adresës, shtetasi duhet të deklarojë adresën e re brenda 60 ditëve nga data e lidhjes së kontratës së qirasë apo e shitblerjes së objektit të banimit, si dhe çdo dokument tjetër që provon ndryshimin e adresës.