Për procedurat e menaxhimit të investimeve publike

Fletorja Zyrtare nr. 44, datë 30 mars 2018

 

Më datë 29.3.2018, me vendimin nr. 185, Këshilli i Ministrave vendosi mbi procedurat e menaxhimit të investimeve publike.

Konkretisht, sipas këtij vendimi, projektinvestimi përfshin një seri punimesh, aktivitetesh apo shërbimesh që synojnë përmbushjen e një objektivi të pandashëm, me qëllime qartësisht të identifikuara. Kostoja totale e një projekti investimi do të përfshijë çdo shpenzim që lidhet me arritjen e rezultateve të synuara, sipas të gjithë komponentëve të tij.

Gjithashtu, ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim pragjet minimale dhe maksimale financiare, për secilën kategori të projekteve të investimeve publike, në bazë të të cilave bëhet klasifikimi i projekteve dhe vlerësimi i tyre.

Vendimi i sipër përmendur parashikon rregullat dhe procedurat lidhur me nivelet e vlerësimit të projekteve të investimeve, parimet kryesore ku bazohen ministritë e linjës/institucionet buxhetore për vlerësimin dhe prioritizimin e projekteve të reja të investimeve dhe ministria përgjegjëse për financat për vlerësimin përfundimtar për përfshirjen e tyre në dokumentin buxhetor afatmesëm, si dhe rregulla që kanë të bëjnë me financimin e investimeve publike apo monitorimin dhe raportimin e ecurisë së zbatimit të projekteve të investimeve.

Së fundi, këtij vendimi i bashkëlidhet Aneksi 1 mbi procedurat e menaxhimit të investimeve publike, si dhe Aneksi 2 mbi metodologjinë e monitorimit dhe raportimit të investimeve publike.