Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme
Fletorja Zyrtare nr. 182, datë 30 dhjetor 2019
Më datë 18.12.2019, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin nr. 90/2019, përmes të cilit i jepet mundësia jo vetëm qytetarëve, por edhe bizneseve të bëjnë rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me vlerën e tregut, rivlerësim i cili në rastin e qytetarëve mund të bëhet nga një ekspert i licencuar ose nga zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërsa në rastin e bizneseve mund të bëhet nga ekspertë të pavarur të licencuar. Objekt i procesit të rivlerësimit do të jenë gjithashtu edhe pasuritë e paluajtshme që janë në proces regjistrimi, ku përfshihen edhe pasuritë e legalizuara. Në dallim nga qytetarët të cilët për regjistrimin e këtij rivlerësimi duhet të paguajnë 3% të diferencës ndërmjet vlerës së tregut dhe vlerës historike të pasurisë, bizneset do të duhet të paguajnë 5% të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme. Procesi i rivlerësimit do të mund të bëhet deri në datën 30 shtator 2020.