Për sigurimin e ndërtimeve
Fletorja Zyrtare nr. 137, datë 7 tetor 2019
Më datë 2.10.2019, me vendimin nr. 650, Këshilli i Ministrave vendosi sigurimin e detyrueshëm 10-vjeçar të ndërtesave për ndërtuesit, zhvilluesit apo investitorët. Konkretisht, vendimi i lartpërmendur parashikon se njëkohësisht me lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së ndërtesës, ndërtuesi, zhvilluesi apo investitori duhet t’i dorëzojnë blerësit edhe kontratën e sigurimit të ndërtesës me afat 10-vjeçar, e cila mbulon dëmet e ndërtesës që mund të shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë. Vendimi parashikon se noterët duhet ta shoqërojnë kontratën për kalimin e pronësisë së ndërtesës me kontratën e sigurimit 10-vjeçar të lartpërmendur, duke i dhënë kështu një rol të rëndësishëm noterëve për zbatimin e vendimit të marrë në konsideratë. Gjithashtu, parashikohet se nëqoftëse kontrata e sigurimit mungon, kërkesa për të regjistruar kontratën e kalimit të pronësisë nuk do të administrohet nga sporteli i shërbimeve kadastrale.