Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme
Fletorja Zyrtare nr. 39, datë 20 mars 2018
Më datë 5.3.2018, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi të miratojë ligjin Nr. 12/2018, i cili ka si qëllim vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, për të siguruar institucione të forta e të besueshme, me profesionistë me integritet.
Së pari, ligji parashikon se procesi i vlerësimit kalimtar të punonjësve që ka për objekt: a) vlerësimin e pasurisë; b) kontrollin e figurës; c) vlerësimin e aftësive profesionale, bazohet në parimin e ligjshmërisë, të barazisë përpara ligjit dhe të proporcionalitetit, duke garantuar të drejtën e punonjësve për një proces të rregullt ligjor.
Objekt i vlerësimit të pasurisë është deklarimi dhe kontrolli i pasurive, i ligjshmërisë së burimit të krijimit të tyre, i përmbushjes së detyrimeve financiare, përfshirë interesat privatë për punonjësin dhe për personat e lidhur me të. Kontrolli i figurës është verifikimi i deklarimeve të punonjësit dhe i të dhënave të tjera, me qëllim verifikimin e vërtetësisë dhe besueshmërisë së deklarimeve, si dhe identifikimi i atyre që janë të përfshirë apo kanë kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në veprimtari kriminale. Ndërsa objekti i vlerësimit të aftësive profesionale është vlerësimi i nivelit të arsimimit dhe trajnimit në përputhje me gradën dhe/ose pozicionin, respektimit të rregullave të etikës, si dhe i përmbushjes së detyrave nga punonjësi, në përputhje me këtë ligj dhe me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e punonjësit të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.
Gjithashtu, ligji parashikon përveç rregullave për realizimin e procedures së vlerësimit edhe dispozita lidhur me organet e vlerësimit kalimtar, përbërjen dhe organizimin e tyre.
Së fundi, ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.