Përcaktimi i procedurës dhe rregullave të hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

Fletorja zyrtare nr. 8, datë 24 janar 2017

Më datë 24.1.2017, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin nr. 3 “Për përcaktimin e procedurës dhe rregullave të hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.

Sipas vendimit, për organizimin e procedurave të hedhjes së shortit dhe dokumentimin e çdo faze të saj krijohet një Sekretariat Teknik. Numri i anëtarëve dhe përbërja e Sekretariatit Teknik caktohen nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit cakton datën dhe orën e hedhjes së shortit dhe njofton zyrtarisht Prokurorin e Përgjithshëm, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, të cilët ftohen të dërgojnë përfaqësuesit e tyre për të qenë prezent në organizimin e shortit.

Në datën dhe orën e caktuar për organizimin e shortit, Sekretariati Teknik sigurohet paraprakisht për praninë e: a) përfaqësuesve të dërguar nga institucionet e përcaktuara nga neni 284 i ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”; b) Avokatit të Popullit ose të përfaqësuesit të autorizuar prej tij; c) Përfaqësuesve të grupeve parlamentare, të përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë dhe të organizatave partnere ndërkombëtare, në cilësinë e vëzhguesve; dhe i fton ata të zënë vendet e caktuara.

Dispozitat e mëtejshme të vendimit përcaktojnë mënyrën e organizimit të procedurës së hedhjes së shortit duke ngarkuar Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit dhe Sekretariatin Teknik për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e kësaj procedure.