Ratifikim i memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në Programin e Drejtësisë së BE-së

Fletorja Zyrtare nr. 26, datë 20 shkurt 2017

Më 2.2.2017, Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi me anë të Ligjit nr. 11/2017, memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë së BE-së. Në nenin 2 të këtij ligji përcaktohet se Shqipëria do të marrë pjesë në aktivitetet e Programit në përputhje me objektivat, kriteret, procedurat dhe afatet siç përcaktohen në Rregulloren (BE) nr. 1382/2013, lidhur me lehtësimin dhe mbështetjen e  bashkëpunimit gjyqësor në çështjet civile dhe penale; mbështetjen dhe nxitjen e një trajnimi gjyqësor me qëllim nxitjen e një kulture të përbashkët juridike dhe gjyqësore, si dhe lehtësimin e aksesit efektiv në drejtësi për të gjithë.

Termat dhe kushtet e zbatueshëm për paraqitjen, vlerësimin dhe përzgjedhjen e kërkesave nga institucionet, organizatat dhe individët e pranueshëm të Shqipërisë do të jenë të njëjta me ato që zbatohen për institucionet, organizatat dhe individët e shteteve anëtare që kanë detyrimin ligjor sipas Rregullores (BE) nr. 1382/2013.

Pa cënuar përgjegjësitë e Komisionit dhe Gjykatës së Audituesve të Bashkimit Europian në lidhje me monitorimin dhe vlerësimin e Programit, pjesëmarrja e Shqipërisë në Program do të monitorohet vazhdimisht mbi bazë partneriteti, ku Shqipëria do t’i paraqesë Komisionit raporte përkatëse dhe do të marrë pjesë në aktivitete të tjera specifike të parashikuara nga BE-ja në këtë kontekst.

Ky Memorandum Mirëkuptimi do të zbatohet për kohëzgjatjen e programit ose deri në hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, nëse kjo ndodh para përfundimit të Programit.