Ratifikim i protokollit për ndryshimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shteteve EFTA

Fletorja Zyrtare nr. 22, datë 13 shkurt 2017

Më datë 26.1.2017, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin nr. 5/2017 përmes të cilit ratifikohet protokolli për ndryshimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shteteve EFTA.

Ratifikimi i këtij protokolli synon përmirësimin dhe zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare në një mënyrë të tillë që të kontribuojë në objektivin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe për të siguruar që ky objektiv është i integruar dhe i pasqyruar në marrëdhënien tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve EFTA.

Një ndër qëllimet kryesore të shteteve palë të kësaj marrëveshjeje është krijimi i kushteve të favorshme për zhvillimin e qëndrueshëm të tregtisë, nxitjen e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik në fushat me interes të përbashkët mbi bazën e barazisë, përfitimit të ndërsjellë, mosdiskriminimit dhe së drejtës ndërkombëtare.

Gjithashtu, bazuar në dëshirën dhe vullnetin e dy palëve për të zbatuar këtë marrëveshje në përputhje me objektivin për të ruajtur dhe mbrojtur mjedisin nëpërmjet menaxhimit të qëndrueshëm të mjedisit dhe për të promovuar një përdorim optimal të burimeve, duke u bazuar në parimet e OECD-së dhe të përgjegjësisë sociale të korporatave, Shqipëria dhe shtetet EFTA vendosën të ndryshojnë marrëveshjen e tregtisë së lirë, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve EFTA.

Ndryshimet kryesore që përcakton ky ligj janë se:

Teksti i përcaktuar në aneksin I të këtij protokolli do të zëvendësojë preambulën në tërësinë e tij.

Një nënparagraf i ri (c) do t’i shtohet paragrafit 2 të nenit 1 “Objektivat” të marrëveshjes dhe nënparagrafët pas nënparagrafit të ri (c) për pasojë do të riemërohen.

Teksti i përcaktuar në aneksin II të këtij protokolli do të shtohet si një kapitull 6 i ri dhe numrat e të gjithë kapitujve dhe neneve ekzistuese pas kapitullit 6 si pasojë do të rinumërohen. Referimi në “Neni 33” në paragrafin 3 të nenit 32 “Konsultimet” të marrëveshjes do të zëvendësohet nga “Neni 43”.

Referimi në “Kapitulli 7” në nenin 7 të marrëveshjes dypalëshe mbi bujqësinë, ndërmjet Shqipërisë dhe Islandës, Shqipërisë dhe Mbretërisë së Norvegjisë dhe Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane do të zëvendësohet nga “Kapitulli 8”.

Referimi në “Neni 31” në paragrafin 1 të nenit 1 të rregullave të procedurës të Komitetit të Përbashkët EFTA-Shqipëri, të miratuara nga vendimi 1 i 2013 i Komitetit të Përbashkët EFTA-Shqipëri do të zëvendësohet nga “Neni 41”.