Ratifikimi i marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit për zhvillimin e integruar urban dhe të turizmit

Fletorja Zyrtare nr.45, datë 10 mars 2017

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me miratimin e ligjit nr. 19/2017, më datë 23.2.2017 ratifikoi marrëveshjen e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit për zhvillimin e integruar urban dhe të turizmit.

Bazuar në këtë marrëveshje Banka bie dakord që t’i japë Huamarrësit, me kushtet dhe afatet që parashikohen apo përmenden në këtë Marrëveshje, shumën prej gjashtëdhjetë e tre milion e tetë qind mijë euro (63,800,000 euro) (Huaja), për të dhënë asistencë në financimin e projektit, ku si përfaqësues i Huamrrësit përcaktohet ministri i Financave.

Projekti në fjalë konsiston në zhvillimin urban dhe përmiresimin e infrastruktures së Bashkive të Përzgjedhura, të zonave të përzgjedhura turistike përgjatë jugut të Korridorit Turistik të Shqipërisë dhe zhvillimi të tregut dhe produkteve të turizmit duke përmbushur kështu objektivat e ketij projekti të cilat konsistojnë përkatësisht në përmirësimin e infrastrukturës urbane, shtimin e aseteve për turizmin dhe fuqizimin e kapaciteteve institucionale për të mbështetur turizmin në lidhje me zhvillimin ekonomik vendas të zonave të përzgjedhura në jug të Shqipërisë.

Në vijim, ligji parashikon ne shtojcën bashkëngjitur tij, masat institucionale dhe masat e ndërmarra për zbatimin e projektit duke patur në vëmendje masat mbrojtëse si dhe planin vjetor dhe buxhetin.