Shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për gjendjen civile”, të ndryshuar

Fletorja zyrtare nr. 265, datë 12 janar 2017

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në datën 22.12.2016 miratoi disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile”, të ndryshuar.

Së pari, ndryshohet neni 17 ku përcaktohet se një person apo një ose më shumë familje kanë të drejtë të banojnë në vendbanimin e një personi apo të një familjeje tjetër kur nuk kanë lidhje familjare, kur plotësohen standardet e sipërfaqes së banimit për frymë, si dhe kur zotërojnë një kontratë ose kur kryefamiljari i familjes pritëse apo shtetasi që zotëron titull të ligjshëm pronësie ose përdorimi të banesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi për procedurat e ndryshimit të vendbanimit. Në këtë rast, kryefamiljari i familjes pritëse dhe personi apo kryefamiljari që kërkon të banojë në vendbanimin e tij shprehin vullnetin e tyre për këtë qëllim para nëpunësit të zyrës së gjendjes civile, në juridiksionin e së cilës është vendbanimi i familjes pritëse.

Gjithashtu në rast të lidhjeve familjare të vërtetuara, pranimi i personit apo i familjes në vendbanimin e ri bëhet në bazë të deklarimit të tyre para nëpunësit të zyrës së gjendjes civile, në juridiksionin e së cilës është vendbanimi i familjes pritëse. Strukturat komunitare të bashkisë/njësisë administrative, në juridiksionin territorial të së cilës ndodhet vendbanimi i ri, kryejnë verifikimet përkatëse, në lidhje me plotësimin e standardeve të sipërfaqes së banimit për frymë.

Në vijim pas nenit 21 shtohet neni 21/1 i cili përcakton se deklarimi dhe regjistrimi i adresës së shtetasve shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, bëhet sipas legjislacionit në fuqi për regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Ndër ndryshimet kryesore të ligjit janë ato që i janë bërë procedurës në lidhje me fitimin lënien e shtetësisë shqiptare si dhe në lidhje me aktet e gjendjes civile të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Së fundi ligji bën ndryshime në dispozitat në lidhje me deklarimin e vdekjes dhe afateve për deklarimin e saj si dhe për organizimin e Shërbimit Shtetëror të Gjendjes Civile dhe emërimin dhe lirimin e nëpunësit në zyrën e arkivit të gjendjes civile pranë prefektit të qarkut.