Shtesa në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”
Fletorja zyrtare nr. 259, datë 6 janar 2017
Më datë 15.12.2016, Kuvendi i Shqipërisë vendosi të miratojë ligjin nr. 129/2016 me anë të të cilit bën disa shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.
Shtesa e parë që ligji i ri bën është ajo e parashikuar pas pikës 3 në nenin 21, ku shtohet pika 4 sipas të cilës përveç sa parashikohet në pikat 2 dhe 3, të këtij neni, në rastet e kredive, të huamarrjes ose financimeve nga personat e lidhur, nuk njihen si shpenzime të zbritshme të periudhës tatimore teprica e shpenzimit të interesit neto që tejkalon 30 për qind të fitimit të tatueshëm para interesit, tatimit, zhvlerësimit dhe amortizimit (EBITDA). Fitimi i tatueshëm para interesit, tatimit, zhvlerësimit dhe amortizimit përcaktohet në përputhje me nenin 19 të këtij ligji. Me termin “Tepricë të shpenzimit të interesit neto” nënkuptohet teprica që del nga diferenca e shpenzimeve të interesit me të ardhurat nga interesi. Çdo shpenzim interesi, që nuk zbritet sipas kësaj pike, mbartet në periudhat e ardhshme tatimore, përveç nëse 50 për qind të aksioneve ose të të drejtave të votës në shoqëri janë transferuar. Përcaktimet e këtij paragrafi nuk zbatohen për bankat, institucionet financiare jobankare të kredi-dhënies, shoqëritë e sigurimeve dhe kompanitë e leasing-ut.
Rregullat për zbatimin e këtij paragrafi përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Financave.
Gjithashtu, në fund të nenit 25 të ligjit shtohet një paragraf sipas të cilit shpenzimet e bankave për kontributet vjetore dhe të jashtëzakonshme, në përputhje me ligjin “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikës së Shqipërisë”, janë shpenzime të njohura në përcaktimin e fitimit të tatueshëm.”