Shtesa në udhëzimin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar

Fletorja zyrtare nr. 4, datë 19 janar 2017

Ministri i Financave me anë të udhëzimit nr. 7 , datë 10.1.2017 bën disa shtesa në udhëzimin nr. 24, datë 2.9.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Së pari për sa i përket strukturës së apelimit tatimor, Drejtoria e Apelimit Tatimor që nga 1 Janari 2017 është pjesë përbërëse e strukturës organike të Ministrisë së Financave. Në Ministrinë e Financave, për shqyrtimin dhe vendimmarrjen e apelimeve tatimore, për vlera mbi shumën 20 milion lekë, ngrihet Komisioni për Shqyrtimin e Apelimit Tatimor.

Ndryshime të rëndësishme i janë bërë edhe rasteve kur administrata tatimore konstaton veprimtari tregtare pa u regjistruar. Kur identifikon persona që ushtrojnë veprimtari ekonomiko-tregtare pa u regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, vendos masën e bllokimit të mallrave dhe detyron personin të regjistrohet menjëherë në Qendrën Kombëtare të Biznesit si tatimpagues i tatimit mbi vlerën e shtuar.

Nëse mallrat janë duke u transportuar ose janë të ngarkuara në një mjet, masa e bllokimit vendoset gjithashtu edhe për mjetin.

Masa e bllokimit për mallin edhe për mjetin hiqet pas kryerjes së regjistrimit për veprimtarinë ekonomike.
Pasi regjistrohet tatimpaguesi pajiset me faturat tatimore me TVSH dhe plotëson një faturë të përgatitur nga blerësi, me të dhënat e inventarizimit të mallit, duke i kaluar më pas Drejtorisë Rajonale Tatimore për vlerësim tatimor.

Në rast se një person ushtron veprimtari në fushën e shërbimeve, përveç vendosjes së masës së bllokimit në vendin ku konstatohet shkelja, u propozohet organeve kompetente pezullimi i lejes/licencës/autorizimit për ushtrim të veprimtarisë për një periudhë 6 mujore.

Nëse tatimpaguesit i është vendosur masa e bllokimit dhe ai prish shenjat dalluese të vendosura për bllokim të veprimtarisë, ndaj tij merret masa e konfiskimit ndaj gjithë sasisë së mallit.
Nëse konstatohet se një tatimpagues i regjistruar ushtron veprimtari në një adresë dytësore të paregjistruar në QKB, atëherë në këtë rast nuk konsiderohet se tatimpaguesi kryen veprimtari ekonomike tregtare pa u regjistruar, por aplikohen dënimet për mos përditësim të të dhënave. Ndërsa për mallin kryhet rivlerësim i shitjeve në të njëjtën vlerë me vlerën e tregut.

Për sa i përket regjistrit pasiv, për periudhën e qëndrimit në regjistrin pasiv, tatimpaguesi nuk paraqet deklarata periodike tatimore dhe ndaj tij nuk llogariten gjoba për mos deklarim tatimor.

Gjatë periudhës që tatimpaguesi është në statusin/regjistrin pasiv atij nuk mund ti shtohen apo ti ndryshohen përgjegjësitë tatimore.

Kalimi nga regjistri pasiv në regjistrin aktiv (riaktivizimi) bëhet menjëherë, pa u kushtëzuar nga detyrimet tatimore të papaguara dhe/ose deklarata të pa dorëzuara të tatimpaguesit. Për detyrimet e papaguara dhe/ose deklaratat e pa dorëzuara zbatohen të gjitha procedurat dhe ndërmerren të gjitha hapat ligjore deri në përmbushjen e këtyre detyrimeve.

Për tatimpaguesit që riaktivizohen në QKB, si rezultat i heqjes dorë nga pezullimi i veprimtarisë, kalimi nga regjistri pasiv në regjistrin aktiv të administratës tatimore bëhet automatikisht nga sistemi elektronik i QKB-së në sistemin e DPT-së, në datën  e miratimit të aktivizimit në QKB.

Për tatimpaguesit që kërkojnë të riaktivizohen pranë DRT-ve, aktivizimi bëhet menjëherë në sistem nga Drejtoria Rajonale Tatimore dhe si datë e aktivizimit do të jetë data e kërkesës për riaktivizim.

Për të gjithë rastet e aktivizimit, i dërgohet njoftim edhe tatimpaguesit në llogarinë/adresën e tij elektronike apo në një nga mënyrat e komunikimit të përcaktuara në ligj.

Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me dispozitat ligjore.

Gjithashtu për çdo transaksion të kryer nga një tatimpagues blerës me një tatimpagues shitës që është në regjistrin pasiv, i publikuar në faqen zyrtare të tatimeve në listën e tatimpaguesve pasiv, konsiderohet shkelje si për shitësin dhe për blerësin .

Gjithashtu sipas ndryshimeve të bëra tatimpaguesi, në kushtet e vështirësive financiare,  mund të lejohet në çdo kohë dhe sa herë që është e nevojshme të lidhë marrëveshje të pagesës me këste.

Marrëveshja e pagesës me këste bëhet me shkrim, brenda një afati prej 10 ditë pune nga data e paraqitjes së kërkesës, me kushtin që tatimpaguesi paguan menjëherë 20% të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja e pagesës me këste.

Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore si rezultat i vetë deklarimit (vetëvlerësimit) si dhe për detyrime tatimore si rezultat i vlerësimit tatimor të kryer nga administrata tatimore.
Marrëveshja për pagesë me këste nuk mund të lidhet për detyrimin tatimor të vetë deklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet edhe në rastet kur ka filluar mbledhja me forcë e detyrimeve tatimore për tatimpaguesin.

Nuk mund të lidhet marrëveshje nëse për tatimpaguesin kanë filluar procedurat për sekuestrimin e pasurisë.

Së fundi, lidhur me dënimet administrative nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë për çdo punonjës të padeklaruar.

Kjo gjobë nuk aplikohet në rastin kur nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e aktivitetit të personit fizik të vetëpunësuar, evidentohen persona mbi 16 vjeç, të cilët kategorizohen si persona të papaguar të familjes. Evidentimi i personit të papaguar të familjes bëhet nëpërmjet kartës së identitetit, lejes së drejtimit të automjetit apo pasaportës.

Mos afishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë.

Në rastet kur çmimet janë të shënuara në kutinë ambalazhuese të mallit si në rastin e  barnave, atëherë subjektet tregtuese nuk i nënshtrohen detyrimit të afishimit të listës së çmimeve.

Nuk i nënshtrohen detyrimit për afishimin e çmimeve gjithashtu ata tatimpagues të cilët nuk mund të përcaktojnë çmime të fiksuara paraprakisht për shërbimet që kryejnë, si pasojë e  kostove që mund të rëndojnë çmimin e shërbimit.

Në rastet e shërbimeve të një natyre të veçantë (p.sh. çmimet e biletave të agjencive), çmimi për të cilat ndryshon dhe nuk është i paracaktuar, mund të afishohen tarifat orare të shërbimit.