Urdhër për miratimin e rregullores për mënyrën e organizimit, funksionimit dhe përbërjen e Komisionit të Standardizimit të Veprimtarive Turistike

Fletorja Zyrtare nr.36, datë 2 mars 2017

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmi, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, me urdhrin nr.101 urdhëroi miratimin e rregullores “Për mënyrën e organizimit, funksionimit dhe përbërjen e Komisionit të Standardizimit të Veprimtarive Turistike” me objekt përcaktimin e mënyrës së organizimit të Komisionit, detyrat, përgjegjësitë dhe mënyrën e ushtrimit dhe zbatimit të tyre.

Sipas rregullores në fjalë, komisioni është organ kolegjial, vendimmarrës, i ngritur pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin, përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave për certifikimin e veprimtarive turistike të udhërrëfyesit turistik dhe klasifikimit të strukturave akomoduese, për dhënien dhe revokimin e certifikatave përkatëse, të parashikuara në ligj, sipas kushteve dhe kritereve të certifikimit të këtyre veprimtarive turistike dhe standardeve të klasifikimit të strukturave akomoduese të parashikuara në ligj dhe në aktet nënligjore përkatëse. Detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit përcaktohen më gjerë ne nenin 5 të saj.

Në vijim, rregullorja përcakton gjithashtu përbërjen, organizimin e Komisionit ku specifikohet se Komisioni, i ngritur me urdhër të Ministrit përgjegjës për turizmin, përbëhet nga 5 anëtarë, përkatësisht nga tre përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, një përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe një përfaqësues nga Ministria e Kulturës.

Së fundmi, rregullorja sanksionon se Komisioni merr vendim të lëshojë ose jo certifikatën përkatëse lidhur me çdo kërkesë individuale që është paraqitur nga subjektet e interesuara, në përputhje me dhe brenda afateve të përcaktuara në aktet nënligjore që rregullojnë këtë fushë.