Vendim i Bankës së Shqipërisë për miratimin e rregullores për mbikëqyrjen e konsoliduar

Fletorja Zyrtare nr.34, datë 1 mars 2017

Më datë 1.2.2017, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi rregulloren nr.4 “Për mbikëqyrjen e konsoliduar” e cila synon të  përcaktojë kushtet, rregullat dhe kërkesat rregullatore për realizimin e mbikëqyrjes së konsoliduar, për qëllime të administrimit të rrezikut që rrjedh nga grupi bankar dhe grupi financiar.

Subjekte të kësaj rregulloreje janë subjektet e licencuara nga Banka e Shqipërisë, të cilat në përputhje me ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, janë institucione mbizotëruese të një grupi bankar ose të një grupi financiar, sipas përcaktimeve të kësaj rregulloreje.

Së pari, rregullorja përcakton se institucioni mbizotërues, për konsolidimin e pasqyrave financiare, përdor metodat e konsolidimit të përcaktuara në “Metodologjinë e raportimit dhe përmbajtjen e raporteve financiare”, miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nr.95, datë 24.12.2008. Rregullorja përmban dispozita mbi mbikëqyrjen e konsoliduar cilësore dhe atë sasiore duke i sqaruar ato përkatësisht.

Në vijim, rregullorja përmban dispozita mbi kapitalin rregullator, ekspozimin e madh, pozicionin e hapur valutor dhe investimin në kapitalin e institucioneve jofinanciare për grupin bankar. Sipas rregullores institucioni mbizotërues paraqet në Bankën e Shqipërisë, brenda 60 ditëve pas datës së mbylljes së periudhës raportuese, pasqyrat financiare të konsoliduara dhe të dhënat sipas anekseve bashkëlidhur dhe pjesëve përbërëse të kësaj rregulloreje.

Së fundi, rregullorja përman dispozita për procesin monitorues dhe mbikëqyrës dhe në vecanti përcakton kërkesat mbi sistemin e kontrollit të brendshëm, parimet dhe kriteret e vlerësimit, masat mbikëqyrëse si dhe mënyrën e trajtimit të transaksioneve të rëndësishme brenda grupit.