Vendim i Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve për drejtimet prioritare të politikës dhe kalendarin e programeve të financimit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, për vitin 2017 dhe për shpërndarjen e financimit për projekte, thirrja e katërt për vitin 2016, të grantit “Infrastruktura vendore dhe rajonale”, programi i zhvillimit të infrastrukturës vendore dhe rajonale, shtylla I.

Fletorja Zyrtare nr.29, datë 22 shkurt 2017

Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve, me vendimin no.3, më datë 9.2.2017, vendosi miratimin e drejtimeve prioritare për vitin 2017, të politikës për programin e Zhvillimit të Infrastrukturës vendore dhe rajonale, programin “Shqipëria dixhitale” dhe programin “Mbështetje për ekonominë” të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve. Vendimi gjithashtu përcakton kalendarin e thirrjeve për financim, sipas shtyllave, programeve dhe granteve të financimit, për 6-mujorin e parë të vitit 2017.

Më tej, me anë të vendimit nr.4 Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve, më datë 9.2.2017, vendosi shpalljen e thirrjes së parë për financimin e projekteve të reja nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve për vitin 2017, sipas shtyllave, programeve dhe granteve të financimit, drejtuar projekteve lokale dhe rajonale, që shërbejnë si katalizator i rivitalizimit të qytetit/fshatit dhe zhvillimit ekonomik lokal e rajonal, përmes jetësimit të hapësirave publike, shesheve, zonave funksionale të qytetit/fshatit, përmirësimit të aksesit, lëvizshmërisë dhe infrastrukturës rrugore, lokale e rajonale, urbanizimit/integrimit të zonave informale, si dhe infrastrukturës për zhvillim ekonomik, lokal e rajonal.

Në vijim, vendimi përcakton se aplikimi për financimin e projekteve bëhet nga njësitë e qeverisjes vendore ku procedura e vlerësimit të projekteve të aplikuara kryhet nga sekretariati teknik, në Ministrinë e Zhvillimit Urban, ndërkohë që ministri i Zhvillimit Urban ngarkohet për zbatimin e këtij vendimi.

Ndërkohë që, ministri i Zhvillimit Urban, ministri i Arsimit dhe Sportit, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, ministri i Mjedisit, ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, ministri i Shëndetësisë, ministri i Kulturës, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe ministri i Financave ngarkohen përkatësisht për zbatimin e vendimit nr.3.