Vendim i Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve për shpërndarjen e financimit për projekte, thirrja e katërt për vitin 2016, të grantit “Infrastruktura vendore dhe rajonale”, programi i zhvillimit të infrastrukturës vendore dhe rajonale, shtylla I.

Fletorja Zyrtare nr.29, datë 22 shkurt 2017

Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve, më datë 13.2.2017, vendosi shpërndarjen e financimit për projektet e reja të thirrjes së katërt për vitin 2016, me burim financimi buxhetin total të projekteve të reja për vitin 2017, të programit buxhetor “Infrastruktura vendore dhe rajonale”.

Vendimi përcakton se të gjitha autoritetet kontraktuese, projektet e të cilave miratohen për financim sipas pikës 1 të këtij vendimi, brenda një jave nga data e publikimit të tij në Fletoren Zyrtare, duhet të paraqesin në sekretariatin teknik, pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban, kalendarin me të gjitha afatet e parashikuara për fazat e prokurimit publik dhe të zbatimit të punimeve të ndërtimit, si dhe të përdorimit të fondeve dhe emrin e personit përgjegjës për informimin periodik.

Gjithashtu, autoritetet kontraktuese për projektet duhet të kryejnë procedurat e prokurimit publik dhe të lidhjes së kontratës përkatëse për zbatimin e punimeve të ndërtimit, përpara fundit të tremujorit të dytë, të vitit 2017, në të kundërt Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve ka të drejtën të rishqyrtojë financimin dhe t’i rishpërndajë ato.

Lidhur me monitorimin e ecurisë së përdorimit të fondeve ngarkohet sekretariati teknik, pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban ndërkohë që ministri i Zhvillimit Urban dhe ministri i Financave, ngarkohen për zbatimin e këtij vendimi.