Vendim për përcaktimin e procedurave të funksionimit të komisionit për shqyrtimin e apelimeve tatimore, përbërjen, kryesimin, sekretariatin, ndryshimin e anëtarëve dhe masën e shpërblimit të tyre, të procedurave të shqyrtimit të ankimit e të vendimmarrjes, si dhe përcaktimin e kufirit të vlerës objekt shqyrtimi i Komisionit

Fletorja zyrtare nr. 6, datë 24 janar 2017

Me vendimin nr. 11, datë 11.1.2017 Këshilli i Ministrave vendosi ngritjen e Komisionit të Shqyrtimit të Apelimeve Tatimore në përbërjen e të cilit janë 7 anëtarë. Ky Komision për Shqyrtimin e Apelimit Tatimor, më poshtë referuar si KSHAT, shqyrton dhe merr vendim për ankimin administrativ tatimor që ka për objekt ankimi vlerën mbi 20 000 000 (njëzet milionë) lekë. Ankimet administrative tatimore deri në këtë vlerë janë objekt shqyrtimi dhe vendimmarrjeje i Drejtorisë së Apelimit Tatimor.

Sipas këtij vendimi kryetari dhe anëtarët e KSHAT-it caktohen nga ministri i Financave për një afat 2-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje jo më shumë se 2 mandate, sipas propozimit të institucioneve përkatëse, me përbërjen e mëposhtme:

a) tre përfaqësues nga Ministria e Financave;

b) dy përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;

c) drejtori i Drejtorisë së Apelimit Tatimor;

ç) një përfaqësues nga Avokatura e Shtetit.

Anëtarët e KSHAT-it duhet të jenë diplomuar në shkencat ekonomike ose juridike, të jenë në nivel drejtues dhe të kenë eksperiencë profesionale në administratën publike, në fushën fiskale, jo më pak se 3 vjet, me përjashtim të përfaqësuesit të Avokaturës së Shtetit, i cili duhet të ketë, të paktën, 2 vjet eksperiencë pranë këtij institucioni.

Gjithashtu, Ministri i Financave mbi bazën e propozimit me shkrim të institucionit që e propozon anëtarin, ka të drejtën e ndryshimit të kryetarit dhe anëtarëve të komisionit, në rastet e mëposhtme:

a) kur kryetari apo anëtari nuk marrin pjesë në tri mbledhje radhazi të komisionit, pa shkaqe të justifikuara;

b) kur kryetari apo anëtari jep dorëheqjen;

c) kur kryetari apo anëtari ushtron vendimmarrjen në kushtet e konfliktit të interesit, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike;

ç) kur kryetari ose anëtari, gjatë ushtrimit të funksioneve të veta, vepron në kundërshtim me interesat e KSHAT-it;

d) me përfundimin e marrëdhënies së punës pranë institucionit propozues; Fletorja

dh) për shkak të sëmundjeve fizike ose mendore, që e bëjnë të paaftë për të kryer funksionet e ngarkuara.

Për sa i përket organizimit dhe procedurës së shqyrtimit të ankimimeve, ankimi drejtuar Komisionit për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore dërgohet në Ministrinë e Financave dhe protokollohet pranë këtij institucioni, në regjistrin për protokollin e apelimeve tatimore të Ministrisë së Financave, i cili shërben vetëm për këtë qëllim. Ankimet merren në dorëzim nga drejtori i Drejtorisë së Apelimit Tatimor. Drejtori i Drejtorisë së Apelimit, brenda tri ditëve, nga paraqitja e kërkesës, në rast se detyrimet objekt ankimimi janë mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, njofton dhe ia përcjell ankimimin administrativ sekretariatit të Komisionit të Shqyrtimit të Apelimit Tatimor.