Vendime në lidhje me tarifat dhe procedurat për regjistrimin, organizimin dhe klasifikimin e të drejtave të autorit mbi veprat dhe krijimi i Këshillit Kombëtar për të Drejtën e Autorit

Fletorja zyrtare nr. 9, datë 25 janar 2017

Më datë 18.1.2017, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin nr. 33, nr. 34 dhe nr. 35 të cilat përkatësisht përcaktojnë tarifat për shërbimet e ofruara nga Drejtoria për të Drejtën e Autorit, procedurat e regjistrimit, të organizimit dhe klasifikimit të veprave të të drejtave të autorit si dhe mënyrën e funksionimit, të organizimit dhe të shpërblimit të Këshillit Kombëtar për të Drejtën e Autorit.

Me vendimit nr. 33, Këshilli i Ministrave miraton tarifat për shërbimet që ofron Drejtoria për të Drejtën e Autorit të cilat janë të paraqitura në aneksin 1. Pagesat e parashikuara në këtë vendim do të kryhen pranë llogarisë së Ministrisë së Kulturës, në degën e thesarit dhe do të derdhen në buxhetin e shtetit.

Përmes vendimit nr. 34, Këshilli i Ministrave miraton procedurat e regjistrimit, organizimit dhe klasifikimit administrative të të drejtave të autorit. Sipas vendimit procedurat e regjistrimit dhe të pajisjes me certifikatë të të drejtave të autorit kryhen nga Drejtoria për të Drejtën e Autorit (DDA) pranë ministrisë përgjegjëse për të drejtat e autorit. DDA-ja shqyrton dhe regjistron çdo aplikim për regjistrim të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to, për subjektin aplikues, autor apo mbajtës/titullar i të drejtave të autorit mbi një vepër.

Për sa i përket organizimit dhe klasifikimit administrativ të regjistrit të të drejtave të autorit ai bëhet sipas radhës së mëposhtme:

a) Regjistrimi i të drejtave të autorit dhe i të drejtave të tjera të lidhura me to;

b) Regjistrimi i kontratave dhe marrëveshjeve që kanë objekt të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to (të shoqëruara me dokumente shtesë, që provojnë kalimin e të drejtave nga pronari ose autori i veprës kundrejt titullarit të të drejtave të fituara);

c) Regjistrimi i agjencive të administrimit kolektiv të të drejtave të autorit dhe të të drejtave të lidhura me të, të licencuara, si dhe çdo informacion që këto agjenci detyrohen të paraqesin në DDA;

ç) Pajisja me certifikatë për çdo të drejtë të regjistruar dhe/ose i çdo kalimi të të drejtave, sipas kërkesave të ligjit nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”;

d) Depozitimi, sipas nenit 104, të ligjit nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”.

Së fundi,  në lidhje me të drejtat e autorit, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin nr. 35 i cili krijon një organ të ri të quajtur Këshilli Kombëtar për të Drejtën e Autorit, një organ i specializuar, për vendosjen e tarifave të shpërblimit mbi shfrytëzimin e veprave të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to në administrimin kolektiv, objekt i përcaktimit të ligjit për të drejtat e autorit.

KKDA-ja është organ kolegjial vendimmarrës dhe këshillimor, pranë ministrisë përgjegjëse për të drejtën e autorit dhe përbëhet nga kryetari dhe 4 (katër) anëtarë.