Vendime të Entit Rregullator të Energjisë

Fletorja Zyrtare nr. 109, datë 25 korrik 2018

Më datë 9.7.2018, me vendimin nr. 159, ERE vendosi të miratojë një udhëzues në lidhje me kërkesat kryesore të organizimit, rolet dhe përgjegjësitë që kanë operatorët e sistemeve të transmetimit dhe shpërndarjes, por edhe përdoruesit e rëndësishëm të rrjetit në procesin e shkëmbimit të të dhënave dhe informacioneve të nevojshme për të ruajtur, veçanërisht, sigurinë operacionale në të gjithë unionin.

Më datë 9.7.2018, me vendimin nr. 160, ERE vendosi të pranojë kërkesën e shoqërisë “EFT Albania” sh.p.k. për heqjen e licencës së veprimtarisë së furnizimit me energji elektrike.

Më datë 9.7.2018, me vendimin nr. 161, ERE vendosi të miratojë Rregulloren mbi kushtet e përgjithshme në shërbimin e furnizimit me gaz natyror për klientët fundorë. Kjo Rregullore përmban një sërë rregullash, të cilat garantojnë që shërbimi i furnizimit që i ofrohet klientëve prej të licencuarve nga ERE në aktivitetin e furnizimit me gaz natyror të jetë i drejtë dhe efektiv.