Vendime të Entit Rregullator të Energjisë

Fletorja Zyrtare nr. 140, datë 1 tetor 2018

Më datë 3.9.2018, me vendimin nr. 197, ERE vendosi të fillojë procedurën për miratimin e Kodit të Rrjetit mbi Rregullat e Ndërveprimit dhe Shkëmbimit të të Dhënave në sektorin e gazit natyror.

Më datë 3.9.2018, me vendimin nr. 198, ERE vendosi të licencojë shoqërinë Furnizuesi i tregut të lirë sh.a. në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike, për një afat 5- vjeçar.

Më datë 3.9.2018, me vendimin nr. 199, ERE vendosi të licencojë shoqërinë Furnizuesi i tregut të lirë sh.a. në veprimtarinë e furnizimit të energjisë elektrike, për një afat 5- vjeçar.

Më datë 3.9.2018, me vendimin nr. 200, ERE vendosi të miratojë disa ndryshime në Rregulloren për alokimin e kapaciteteve të interkoneksionit. Sipas këtij vendimi, tashmë të drejtën për të marrë pjesë në tregun shqiptar të energjisë elektrike e kanë jo vetëm subjektet tregtare të regjistruar në Shqipëri, por edhe tregtarët dhe furnizuesit e energjisë elektrike, të regjistruar në një shtet tjetër anëtar të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Më datë 3.9.2018, me vendimin nr. 201, ERE vendosi të miratojë një plan masash për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike lidhur me respektimin e të drejtave të konsumatorëve të furnizimit me energji elektrike. Ky plan masash përmban detyrat kryesore të OSHEE-së në kuadër të respektimit të këtyre të drejtave, të tilla si të informojë klientët për të drejtat që ata kanë, t’i ofrojë atyre të drejtën e aksesit në shërbime, të drejtën për të paraqitur ankesë ndaj shërbimit të ofruar, të drejtën e zgjedhjes së shërbimit dhe furnizuesit, si dhe të drejtën për t’u informuar mbi çmimet.

Më datë 13.9.2018, me vendimin nr. 202, ERE vendosi të rinovojë licencën e shoqërisë Gen–I Tirana sh.p.k. në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike, për një afat 5-vjeçar.

Më datë 13.9.2018, me vendimin nr. 203, ERE vendosi të rinovojë licencën e shoqërisë Gen–I Tirana sh.p.k. në veprimtarinë e furnizimit të energjisë elektrike, për një afat 5-vjeçar.

Më datë 13.9.2018, me vendimin nr. 204, ERE vendosi të miratojë çmimin e shitjes së energjisë elektrike nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për muajin gusht 2018, i cili është 12,86 lekë/kwh.

Më datë 13.9.2018, me vendimin nr. 205, ERE vendosi të fillojë procedurat për të përcaktuar çmimin e blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e vogla të rinovueshme nga dielli dhe era për vitin 2018.