Vendime të Entit Rregullator të Energjisë
Fletorja Zyrtare nr. 164, datë 16 nëntor 2018
Më datë 2.11.2018, me vendimin nr. 233, ERE vendosi të fillojë procedurën për miratimin e versionit të ndryshuar të propozimit të përbashkët të hartuar nga të gjithë Operatorët e Sistemit të Transmetimit në lidhje me kërkesat organizative, rolet dhe përgjegjësitë kryesore mbi shkëmbimin e të dhënave.
Më datë 2.11.2018, me vendimin nr. 234, ERE vendosi të miratojë çmimin e furnizimit me energji elektrike për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV, të cilët furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, prej 16.00 lekësh/kwh, për muajin tetor 2018.
Më datë 2.11.2018, me vendimin nr. 235, ERE vendosi të kryejë një ndryshim në vendimin e tij të mëparshëm nr. 196/2018. Konkretisht, sipas këtij ndryshimi shoqëria Albgaz sh.a. duhet të depozitojë pranë ERE-s miratimet nga Këshilli Mbikëqyrës të Planit të Investimeve për vitin 2018, jo më vonë se data 20.1.2019. Gjithashtu, brenda së njëjtës datë, shoqëria Albgaz sh.a. duhet të depozitojë pranë ERE-s miratimin nga Këshilli Mbikëqyrës të Planit të Zhvillimit të Rrjetit për periudhën 2018–2027.
Më datë 2.11.2018, me vendimin nr. 236, ERE vendosi të kryejë një ndryshim në vendimin e tij të mëparshëm, me të cilin u certifikua shoqëria Albgaz sh.a. si operator i kombinuar i gazit natyror. Konkretisht, duke qënë se shoqëria Albgaz sh.a. është gjendur në pamundësi për të plotësuar disa prej kërkesave të vendimit të mëparshëm brenda afateve të parashikuara, ERE vendosi t’i shtyjë këto afate deri më 10.4.2019.
Më datë 2.11.2018, me vendimin nr. 237, ERE vendosi të fillojë procedurën për miratimin e propozimit të të gjithë Operatorëve të Sistemit të Transmetimit për një metodologji të ofrimit të të dhënave të gjenerimit dhe ngarkesës, në përputhje me Rregulloren e Komisionit të Bashkimit Evropian që përcakton udhëzimet mbi alokimin e kapaciteteve në avancë.
Më datë 2.11.2018, me vendimin nr. 238, ERE vendosi të fillojë procedurën për miratimin e propozimit të të gjithë Operatorëve të Sistemit të Transmetimit për një metodologji të modelit të përbashkët të rrjetit, në përputhje me Rregulloren e Komisionit të Bashkimit Evropian që përcakton udhëzimet mbi operimin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike.
Më datë 2.11.2018, me vendimin nr. 239, ERE vendosi të fillojë procedurën për rishikimin e Rregullores që përcakton procedurat dhe afatet për dhënien, modifikimin, transferimin, rinovimin ose heqjen e licencave në sektorin e energjisë elektrike.
Më datë 2.11.2018, me vendimin nr. 240, ERE vendosi të fillojë procedurën për licencimin e shoqërisë ReNRGY Trading Group sh.p.k., në veprimtarinë e furnizimit të energjisë elektrike, për një afat 5-vjeçar.