Vendime të Entit Rregullator të Energjisë
Fletorja Zyrtare nr. 45, datë 3 prill 2019
Më datë 15.03.2019, me vendimin nr. 41, ERE vendosi të rrëzojë kërkesën e shoqërisë OST sh.a. mbi nevojën e ndërhyrjeve në rrjetin e transmetimit, si të pambështetur në ligj.
Më datë 15.03.2019, me vendimin nr. 42, ERE vendosi të miratojë çmimin e furnizimit me energji elektrike për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV, të cilët furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për muajin shkurt 2019 në vlerën 13.92 lekë/kWh.
Më datë 15.03.2019, me vendimin nr. 43, ERE vendosi të miratojë dokumentin me titull “Propozim i të gjitha OST-ve për një metodologji të ofrimit të të dhënave të gjenerimit dhe ngarkesës në përputhje me nenin 16 të Rregullores së Komisionit (BE) 2015/1222, të datës 24 korrik 2015 për krijimin e një udhëzuesi mbi alokimin e kapaciteteve dhe menaxhimin e kongjestioneve”.
Më datë 15.03.2019, me vendimin nr. 44, ERE vendosi të rinovojë licencën e shoqërisë Ayen Energy Trading sh.a., në veprimtarinë e furnizimit të energjisë elektrike, për një afat 5- vjeçar.
Më datë 15.03.2019, me vendimin nr. 45, ERE vendosi të rinovojë licencën e shoqërisë Ayen Energy Trading sh.a., në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike, për një afat 5-vjeçar.
Më datë 19.03.2019, me vendimin nr. 46, ERE duke marrë në konsideratë situatën delikate financiare me të cilën po përballet OSHEE sh.a., si pasojë e rritjes së kostos së blerjes së energjisë elektrike, vendosi të ndryshojë afatin e kryerjes së pagesave nga shoqëria OSHEE sh.a. për tregtarët fitues të ankandeve të shitblerjes së energjisë elektrike me qëllim sigurimin e energjisë elektrike për përmbushjen e nevojave të klientëve fundorë për një periudhë tranzitore prej 3 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, duke e vendosur jo më vonë se 180 ditë nga dita e lëvrimit të energjisë elektrike.
Më datë 19.03.2019, me vendimin nr. 47, ERE duke marrë në konsideratë të gjitha përpjekjet që ka bërë OST sh.a. për përmbushjen e kushteve të përcaktuara në vendimin e mëparshëm të ERE-s nr. 43/2017 mbi certifikimin e OST sh.a., vendosi të miratojë kërkesën e OST sh.a. për shtyrjen me 1 vit të afatit të përmbushjes së kushteve të parashikuara në pikën 2 të vendimit të lartpërmendur mbi certifikimin e OST sh.a.