Vendime të Entit Rregullator të Energjisë

Fletorja Zyrtare nr. 131, datë 24 shtator 2019

Më datë 6.9.2019, me vendimin nr. 134, ERE vendosi të refuzojë kërkesën e shoqërisë Albpetrol sh.a., për licencim në veprimtarinë e furnizimit të gazit natyror.

Më datë 6.9.2019, me vendimin nr. 135, ERE vendosi të fillojë procedurën për licencimin e shoqërisë ELECTRAL BATRA HPP sh.p.k., në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike, për një afat 30-vjeçar.

Më datë 6.9.2019, me vendimin nr. 136, ERE vendosi të licencojë shoqërinë ENSCO Trading Albania sh.p.k., në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike, për një afat 5- vjeçar.

Më datë 6.9.2019, me vendimin nr. 137, ERE vendosi të miratojë disa ndryshime në Rregulloren për procedurat e blerjes së energjisë elektrike, për mbulimin e humbjeve në rrjetet e shpërndarjes dhe të transmetimit dhe për blerjen dhe shitjen e energjisë elektrike, për të siguruar përmbushjen e detyrimeve të shërbimit publik, të propozuara nga OST sh.a. Konkretisht, ka ndryshuar neni 15, pika 3 e Regullores së lartpërmendur, që tashmë parashikon se përsëritja e procesit të ofertimit duhet të njoftohet për të gjithë tregtarët e energjisë elektrike dhe të publikohet në platformën on-line dhe faqen zyrtare të blerësit, si dhe përsëritja e procesit duhet të kryhet të paktën një ditë pas njoftimit të dështimit të procesit. Gjithashtu, ndryshimet kanë prekur edhe afatin për të shprehur ankim nga ana e tregtarëve të energjisë elektrike që janë skualifikuar, afat i cili nga 24 orë bëhet 12 orë nga momenti i njoftimit të ofertuesit të skualifikuar. Dhe së fundmi, është përgjysmuar edhe afati brenda së cilit blerësi është i detyruar të miratojë vendimin për pranimin ose jo të ankesës, afat i cili nga 24 orë bëhet 12 orë nga marrja e ankesës.

Më datë 16.9.2019, me vendimin nr. 138, ERE vendosi të miratojë çmimin e furnizimit me energji elektrike nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit prej  12.75 lekë/kWh për muajin gusht 2019.