Vendime të Entit Rregullator të Energjisë

Fletorja Zyrtare nr. 158, datë 25 nëntor 2019

Më datë 7.11.2019, me vendimin nr. 169, ERE vendosi të fillojë procedurën për licencimin e shoqërisë KROI MBRET ENERGJI sh.p.k., në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike, për një afat 5-vjeçar.

Më datë 7.11.2019, me vendimin nr. 170, në vijim të kërkesës së shoqërisë SA’GA MAT sh.p.k. për lënien peng të aseteve të luajtshme, të ardhshme apo të tashme, dhe vendosjen e hipotekës mbi asetet e paluajtshme, që do t’i përkasin HEC-eve German 1 dhe German 2, në favor të bankës Intesa San Paolo sh.a., për efekt të dhënies së kredisë, për financimin e ndërtimit të veprave hidroenergjetike German 1 dhe German 2,  ERE vendosi të mos fillojë procedurën për shqyrtimin e kësaj kërkese.

Më datë 7.11.2019, me vendimin nr. 171, në vijim të kërkesës së koncesionarit Wonder sh.p.k., ERE vendosi të mos fillojë procedurën për transferimin e plotë të licencës së shoqërisë koncesionare ENERGO-SAS sh.pk., dhënë me vendimin e ERE-s nr. 83/2006, për një afat 30- vjeçar, për veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC Sasaj, te shoqëria Hydropower-Sas sh.p.k.

Më datë 7.11.2019, me vendimin nr. 172, ERE vendosi të fillojë procedurën për rinovimin e licencës së shoqërisë Energia Gas and Power sh.p.k., në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike, të miratur me vendimin e mëparshëm të ERE-s nr. 133/2014.

Më datë 7.11.2019, me vendimin nr. 173, në vijim të kërkesës së shoqërisë E-Vento SRL Albania sh.p.k. për shtyrjen e afateve të plotësimit të kushteve të licencës, ERE vendosi të pezullojë shqyrtimin e kësaj kërkese dhe të ushtrojë monitorim të thelluar pranë subjektit E-Vento SRL Albania sh.p.k. me qëllim evidentimin, dokumentimin dhe shqyrtimin e të gjitha rrethanave që shoqëria e lartpërmendur pretendon se i kanë pamundësuar zbatimin e kushteve dhe të afateve të vendimit të licencimit të kësaj shoqërie nr. 84/2008, i ndryshuar.

Më datë 7.11.2019, me vendimin nr. 174, ERE vendosi të fillojë procedurën për licencimin e shoqërisë AXPO ALBANIA sh.a., në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike, për një afat 5-vjeçar.