Vendime të Entit Rregullator të Energjisë
Fletorja Zyrtare nr. 118, datë 24 qershor 2020
Më datë 8.6.2020, me vendimin nr. 93, ERE vendosi të zgjasë me 30 ditë procedurën administrative për shqyrtimin e kërkesës së shoqërisë FSHU sh.a. për rishikimin e vendimit të ERE-s nr. 73/2020, mbi miratimin e Kontratës tip për shitblerjen e energjisë elektrike ndërmjet shoqërisë së prodhimit të energjisë elektrike, aksionet e së cilës kontrollohen plotësisht ose pjesërisht nga shteti dhe FSHU sh.a., për furnizimin e klientëve fundorë, si të pambështetur në prova të reja të tilla që mund të çojnë ERE-n në rishikimin e vendimit të lartpërmendur.
Më datë 8.6.2020, me vendimin nr. 95, ERE vendosi të miratojë çmimin e shitjes së energjisë elektrike, të furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, prej 9.5 lekë/kWh, për muajin maj 2020.
Më datë 8.6.2020, me vendimin nr. 96, ERE vendosi të fillojë procedurën për licencimin e shoqërisë MobiGas Alba sh.p.k., në veprimtarinë e tregtimit të gazit natyror, shitje me shumicë, për një afat 10-vjeçar.