Vendime të Entit Rregullator të Energjisë
Fletorja Zyrtare nr. 138, datë 27 korrik 2020
Më datë 2.7.2020, me vendimin nr. 106, ERE vendosi të miratojë rregullat e tregut shqiptar të balancimit të energjisë elektrike, të cilat do të zbatohen nga pjesëtarët e tregut të energjisë elektrike pa efekte financiare deri në datën 31.12.2020.
Më datë 2.7.2020, me vendimin nr. 107, ERE vendosi të fillojë procedurën për shqyrtimin e kërkesës së shoqërisë MTC Energy sh.p.k., për transferimin e aseteve të saj nga Raiffeisen Bank sh.a. tek Alpha Bank sh.a.
Më datë 2.7.2020, me vendimin nr. 108, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, ERE vendosi të shtyjë deri më 20 dhjetor 2020 afatin e dorëzimit të dokumentacionit të munguar nga ana e shoqërisë Albgaz sh.a., të parashikuar në vendimet mbi licencimin e kësaj të fundit në veprimtarinë e shpërndarjes së gazit natyror dhe në atë të transmetimit të gazit natyror, të ndryshuara.
Më datë 2.7.2020, me vendimin nr. 109, ERE vendosi të shtyjë afatet për dorëzimin e dokumenteve nga shoqëria Albgaz sh.a. e certifikuar si operator i kombinuar i gazit natyror. Konkretisht, ERE vendosi të shtyjë deri më 20 dhjetor 2020 afatin e depozitimit të programit të përputhshmërisë për miratim në ERE dhe afatin e raportimit për masat e marra nga shoqëria për plotësimin e kushtit që lidhet me bashkëpunimin ndërinstitucional për realizimin e ndryshimeve në kuadrin ligjor. Gjithashtu, shoqëria Albgaz sh.a. duhet të depozitojë në ERE pasqyrat financiare të audituara për vitin ushtrimor 2019.
Më datë 2.7.2020, me vendimin nr. 110, ERE vendosi të zgjasë me 30 ditë afatin e shqyrtimit të kërkesës së shoqërisë Solaris Power sh.p.k., për rishikimin e vendimit të ERE-s nr. 86/2020 mbi refuzimin e kërkesës së shoqërisë Solaris Power sh.p.k., për licencim në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike.