Vendime të Entit Rregullator të Energjisë

Fletorja Zyrtare nr. 202, datë 19 nëntor 2020

Më datë 2.11.2020, me vendimin nr. 168, ERE vendosi të zgjasë me 30 ditë afatin e vendimarrjes së saj për shqyrtimin e kërkesës për rishikimin e vendimit të ERE-s nr. 146/2020, mbi licencimin e shoqërisë Seka Hydropower sh.p.k., në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC-et Sekë dhe Zais, me kapacitet total të instaluar 14 962 kw.

Më datë 3.11.2020, me vendimin nr. 169, ERE vendosi të rrëzojë kërkesën e OST sh.a., për miratimin e planit të investimeve me fondet e shoqërisë për vitin 2020, me vlerë totale të parashikuar prej 3 640 853 152 lekësh. Gjithashtu, në vendim parashikohet se OST sh.a. duhet të përcjellë në ERE, brenda datës 31 dhjetor 2020, planin e rishikuar 10-vjeçar, 2015-2020, të zhvillimit të rrjetit të transmetimit, si dhe të raportojë në mënyrë periodike në ERE lidhur me investimet/projektet në zbatim, të miratuara nga ERE në vitet e kaluara.

Më datë 4.11.2020, me vendimin nr. 170, pas rrëzimit të kërkesës së FSHU sh.a. për të ndryshuar nenin 9 të kontratës tip për shitblerjen e energjisë elektrike ndërmjet shoqërisë së prodhimit të energjisë elektrike dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal, si të paarsyetuar dhe të pambështetur në prova, ERE vendosi të fillojë procedurën për shqyrtimin e kërkesës së FSHU sh.a. dhe KESH sh.a. për disa ndryshime në kontratën e lartpërmendur, të miratuar me vendimin e mëparshëm të ERE-s nr. 73/2020.

Më datë 4.11.2020, me vendimin nr. 171, ERE vendosi të miratojë pagesat rregullatore për të licencuarit në sektorinë e energjisë elektrike dhe të gazit natyror për vitin 2020.

Më datë 4.11.2020, me vendimin nr. 172, ERE vendosi të fillojë procedurën për rinovimin e licencës së shoqërisë Energia Gas and Power Albania sh.p.k., në veprimtarinë e furnizimit të energjisë elektrike, të miratuar me vendimin e mëparshëm të Ere-s nr. 159/2015, për një afat 5-vjeçar, duke filluar nga data 29 dhjetor 2020.

Më datë 4.11.2020, me vendimin nr. 173, ERE vendosi të rinovojë licencën e shoqërisë Lengarica & Energy sh.p.k., në veprimtarinë e furnizimit të energjisë elektrike, të miratuar me vendimin e mëparshëm të ERE-s nr. 105/2015, për një afat 5-vjeçar, duke filluar nga data 19 gusht 2020.

Më datë 4.11.2020, me vendimin nr. 174, ERE vendosi të licencojë shoqërinë Tirana Energji sh.p.k., në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike, për një afat 5-vjeçar.

Më datë 4.11.2020, me vendimin nr. 175, ERE vendosi të licencojë shoqërinë Tirana Energji sh.p.k. në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC Mali, me kapacitet të instaluar 1490 kw, për një afat 30-vjeçar.

Më datë 4.11.2020, me vendimin nr. 176, ERE vendosi të licencojë shoqërinë Koka & Ergi Energy Stavec sh.p.k., në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC Stavec, me kapacitet të instaluar 6520 kw, për një afat 23-vjeçar.

Më datë 4.11.2020, me vendimin nr. 177, ERE vendosi të përfundojë procedurën administrative për shqyrtimin e kërkesës së shoqërisë MobiGas Alba sh.p.k., për pajisje me licencë në veprimtarinë e tregtimit të gazit natyror (shitje me shumicë) mbështetur në kërkesën e shoqërisë së lartpërmendur për t’u tërhequr nga aplikimi.

Më datë 4.11.2020, me vendimin nr. 178, ERE vendosi të fillojë procedurën për shqyrtimin e kërkesës së FTL sh.a., për një ndryshim në Rregulloren për procedurat e blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetet e shpërndarjes dhe të transmetimit dhe për blerjen dhe shitjen e energjisë elektrike për të siguruar përmbushjen e detyrimeve të shërbimit publik.

Më datë 4.11.2020, me vendimin nr. 179, ERE vendosi të pranojë kërkesën e shoqërisë Albgaz sh.a., për shtyrjen e afatit të vendimmarrjes për licencimin e shoqërisë në veprimtarinë e operimit të hapësirave të depozitimit të gazit natyror deri në datën 20 mars 2021.