Vendime të Entit Rregullator të Energjisë

Fletorja Zyrtare nr. 81, datë 5 qershor 2018

Më datë 14.5.2018, me vendimin nr. 110, ERE vendosi të zgjidhë mosmarrëveshjen midis Kesh sh.a. dhe OST sh.a. lidhur me korrigjimet e faturave për shërbimin e balancimit sipas parashikimeve të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe përllogaritjeve nga OST sh.a. të rakorduara dhe të pranuara nga palët përgjegjëse për periudhën 1 korrik 2016 – 31 dhjetor 2017. Konkretisht, ERE vendosi se shoqëria OST sh.a., në çdo rast, duhet të bëjë korrigjimet e faturave për shërbimin e balancimit sipas parashikimeve dhe për periudhën e lartpërmendur.

Më datë 14.5.2018, me vendimin nr. 111, ERE vendosi të miratojë kërkesën e shoqërisë OSHEE sh.a. për miratimin e marrëveshjes për sigurimin e shërbimit të shpërndarjes së energjisë elektrike nënshkruar midis OSHEE sh.a. dhe “Grid Energy” sh.p.k. në datën 13.4.2018.

Më datë 14.5.2018, me vendimin nr. 112, ERE vendosi të fillojë procedurën për licencimin e shoqërisë “Domi TEC” sh.p.k., në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC “Plepi”.

Më datë 14.5.2018, me vendimin nr. 113, ERE vendosi të licencojë shoqërinë “Osoja Energy” sh.p.k. në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik Seman-1, Sheq, Marinas, Fier, për një afat 20-vjeçar.

Më datë 14.5.2018, me vendimin nr. 114, ERE vendosi të licencojë shoqërinë “Seman2Sun” sh.p.k., në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik Seman-2, Sheq, Marinas, për një afat 20- vjeçar.

Më datë 14.5.2018, me vendimin nr. 115, ERE vendosi të fillojë procedurën për miratimin e udhëzuesit për kërkesat organizative, rolet dhe përgjegjësitë në lidhje me shkëmbimin e të dhënave.

Më datë 21.5.2018, me vendimin nr. 116, ERE vendosi të miratojë çmimin e furnizimit me energji elektrike nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit prej 9.5 lekësh/kwh për muajin maj 2018.