Vendime të Entit Rregullator të Energjisë
Fletorja Zyrtare nr. 8, datë 1 shkurt 2019
Më datë 17.01.2019, me vendimin nr. 2, ERE vendosi të fillojë procedurën për miratimin e dokumentit me titull “Propozim i të gjitha OST-ve për një metodologji të ofrimit të të dhënave të gjenerimit dhe ngarkesës në përputhje me nenin 16 të Rregullores së Komisionit (BE) 2015/1222, të datës 24 korrik 2015 për krijimin e një udhëzuesi mbi alokimin e kapaciteteve dhe menaxhimin e kongjestioneve”.
Më datë 17.01.2019, me vendimin nr. 3, ERE vendosi të refuzojë kërkesën e shoqërisë M.T.C. Energy sh.p.k., për vendosje hipoteke dhe barrë mbi asetet e shoqërisë M.T.C ENERGY sh.p.k., për efekt të ristrukturimit të kredisë në favor të Raffeisen Bank sh.a.
Më datë 17.01.2019, me vendimin nr. 4, ERE vendosi të fillojë procedurën lidhur me licencimin e shoqërisë KESH sh.a. në veprimtarinë e furnizimit të energjisë elektrike, për një afat 5- vjeçar.
Më datë 17.01.2019, me vendimin nr. 5, ERE vendosi të licencojë shoqërinë Hydro Seta sh.p.k. në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike, për një afat 5-vjeçar.
Më datë 17.01.2019, me vendimin nr. 6, ERE vendosi të miratojë kërkesën e shoqërisë SA’GA MAT sh.p.k., për modifikimin e licencës për prodhimin e energjisë elektrike nga HEC-et “Germani 1”, “Germani 2”, “Germani 3” dhe “Germani 4”, licencë e miratuar me vendimin e ERE-s nr. 92/2014. Duke konsideruar se për efekt të një kontrate të re koncesioni të vitit 2017 numri i HEC-eve është reduktuar, ERE vendosi që të modifikojë licencën e lartpërmendur duke zëvendësuar kudo ku shprehet hidrocentralet “Germani 1”, “Germani 2”, “Germani 3”, “Germani 4” me shprehjen “Germani 1” me kapacitet të instaluar 4,800 kw, dhe “Germani 2” me kapacitet të instaluar 1,500 kw.
Më datë 17.01.2019, me vendimin nr. 7, ERE vendosi të miratojë çmimin e furnizimit me energji elektrike për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV, të cilët furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, prej 15.22 lekësh/kWh për muajin dhjetor 2018.
Më datë 17.01.2019, me vendimin nr. 8, ERE vendosi se çmimi vjetor i blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi për vitin 2019 të jetë 8.4582 lekë/kWh.